VIDEO/ Propozimi për rikthimin e dënimit me vdekje, flasin qytetarët: Duhet disiplinë!

Nga A2 CNN
23 Gusht 2024, 17:15 | Aktualitet

VIDEO/ Propozimi për rikthimin e dënimit me vdekje, flasin

Ndodh shpesh që pas ngjarjeve të rënda kriminale në vend, të bëhen thirrje për rikthimin e dënimit me vdekje.

“Duke marrë parasysh këtë gjendje të rëndë të kriminalitetit, a ka ardhur koha të rishikohen sanksionet penale në drejtim të ashpërsimit të tyre për krime të rënda kundër jetës, duke përfshirë këtu edhe dënimin me vdekje,” deklaroi ditë më parë, Ekrem Spahiu, bashkëkryetar i LZHK-së, raporton televizioni A2. 

Propozimi i LZHK-së, erdhi pas vrasjes së Egli Progës në Pogradec ngjarje që shkaktoi reagime të shumta mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe palëve politike në vend.

A2 CNN mori mendimin e disa qytetarëve në lidhje me këtë çështje, dhe qëndrimet e tyre ishin kryesisht “pro”, pasi këtë formë drastike dënimi e shohin si zgjidhjen e vetme për të ulur shkallën e kriminalitetit në vend.

Kujtojmë se dënimi i fundit me vdekje në Shqipëri u dha në 25 qershor të vitit 1992 kur u ekzekutua vendimi për varjen e dy vëllezërve nga Libofsha në mes të qytetit të Fierit për krime monstruoze.

 

 

Trupat e tyre u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera.

Ky ishte rasti i fundit, me pas në vitin 1999, dënimi me vdekje u shpall antikushtetues dhe më vitin 2000 është shfuqizuar ligjërisht.

LZHK propozoi që dënimi me vdekje të rikthehej në vend në konsensus me Këshillin Europian dhe përkohësisht, derisa të pranohemi në familjen europiane, shkruan televizioni A2.

Por, aktualisht asnjë shtet i BE-së nuk e ka në fuqi dënimin me vdekje, dhe Shqipëria prej vitesh ka nisur punën për përmbushjen e kushteve që mund ta sjellin më afër integrimit.

Politikat e unionit mbajnë një qëndrim të fortë kundër dënimeve më vdekje, duke reflektuar kështu angazhimin që blloku ka marrë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit. /A2/ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos