Moti i keq në Gjirokastër, pa dëme në banesa, 20 hektarë tokë bujqësore nën ujë

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2025, 09:43 | Aktualitet

Moti i keq në Gjirokastër, pa dëme në banesa, 20

Gjatë natës, qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët, të cilat nuk kanë shkaktuar probleme serioze në komunitete dhe infrastrukturë. Sipas të dhënave zyrtare nga strukturat vendore, situata paraqitet nën kontroll dhe pa pasoja të rënda për banorët.

OSHEE njofton se aktualisht jashtë pune mbetet vetëm fideri "Radio Kordhocë" në bashkinë Gjirokastër, ndërsa pjesa tjetër e territorit furnizohet normalisht me energji elektrike.

Në qytetin e Përmetit, niveli i lumit Vjosë është regjistruar në kuotën 2,4 metra. Në zonën e urës së Memaliajt, niveli ka arritur në 3,5 metra. Autoritetet konfirmojnë se situata e lumenjve monitorohet vazhdimisht, por deri tani nuk paraqiten rreziqe për daljen e tyre nga shtrati.

Nuk ka pasur banorë të evakuuar dhe as dëmtime të banesave nga reshjet. Megjithatë, rreth 20 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, kryesisht me vreshta dhe sipërfaqe të lira, përcjell A2 CNN. Në bashkinë Libohovë është shënuar një rrëshqitje masivi dherash, e cila ka bllokuar aksin rrugor Poliçan–Sheper, pranë fshatit Sheper në njësinë administrative Zagori. Ekipet e terrenit janë angazhuar në pastrimin dhe hapjen e rrugës.

Po ashtu, gjatë ditës pritet të vijojnë ndërhyrjet në aksin Suhë–Poliçan, në zonën e quajtur “Shkëmbi i dallëndyshes”, me qëllim riparimin e trupit të rrugës që shërben si lidhje ndërmjet njësisë administrative Zagori në bashkinë Libohovë dhe Poliçanit, bashkia Dropull.

Në bashkinë Dropull sot do të vijojnë punimet për vënien në funksion të një rruge lidhëse midis fshatit Glinë dhe fshatit Nepravishtë, për të siguruar qarkullim normal në zonë. Autoritetet raportojnë se nga bashkitë e tjera të qarkut nuk ka njoftime për situata emergjente apo problematika të shkaktuara nga moti i keq. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos