Teuta rikthen festën, “Djemtë e Detit” mposhtin Laçin dhe ndjekin kreun

Nga Elitjona Doko
21 Nëntor 2026, 18:53 | Sport

Teuta rikthen festën, “Djemtë e Detit” mposhtin

Teuta bën detyrën dhe merr tri pikët. Durrsakët fituan 1-0 përballë Laçit në “Arena Egnatia”, në javën e 12-të të Superiores, duke përforcuar pozitat në vendin e dytë të renditjes.

Skuadra e Edlir Tetovës mori iniciativën që në fillim, duke kërkuar me këmbëngulje avantazhin. Rastet nuk munguan në pjesën e parë, por as shtylla e goditur nga Pedro Martelo nuk e ndryshoi rezultatin. Goli erdhi menjëherë pas pushimit, sulmuesi portugez gjeti rrjetën dhe vulosi suksesin e Teutës.

“Djemtë e Detit” ruajtën avantazhin deri në fund, duke e mbyllur takimin me portën të paprekur. Një fitore me vlerë për skuadrën, ku protagonist ishte Martelo, i shpallur edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.

Me këtë rezultat, Teuta shkon në 23 pikë, në vendin e dytë, katër pikë larg Egnatias kryesuese. Pas 12 javësh, durrsakët numërojnë 7 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, me 15 gola të shënuar dhe vetëm 5 të pësuar, treguesi më i mirë mbrojtës në kampionat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos