Moti i keq në vend, policia kërkon vigjilencë nga drejtuesit e mjeteve: Kujdes shpejtësinë!

Nga A2 CNN
6 Janar 2024, 22:27 | Aktualitet

Moti i keq në vend, policia kërkon vigjilencë nga drejtuesit e

Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë që ka mbërthyer pjesën më të madhe të territorit të vendit nga pasditja, pritet të vijojë gjatë mbrëmjes dhe dy ditë në vazhdim.

Për këtë arsye policia e shtetit i është drejtuar me një apel përdoruesve të rrugës, duke kërkuar vigjilencë të shtuar dhe shpejtësi të kontrolluar në drejtimin e mjeteve.

Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe erë të fortë, në disa qarqe të vendit, Policia e Shtetit apelon për përdoruesit e rrugës që të rrisin vigjilencën dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes. Të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos drejtojnë automjetin/motomjetin, në efektin e alkoolit.

Uniformat blu kërkojnë po ashtu që të tregohet kujdes i shtuar, pasi për shkak të erës së fortë mund të ketë rrëzime të pemëve, ndërsa si pasojë e reshjeve të dendura ka prezencë të ujit në disa akse rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore sakaq kanë shtuar prezencën në rrugët urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për t’iu ofruar ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.

Në rast nevoje telefononi në numrin 112 dhe zbatoni me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos