Myftiu i Korçës kundër ligjit për barazinë gjinore: Po imponohet një agjendë që nuk është problem real i shoqërisë

Nga Artin Halili
10 Nëntor 2025, 11:25 | Aktualitet

Myftiu i Korçës kundër ligjit për barazinë gjinore:

Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi, ka shprehur shqetësimin e komuniteteve fetare lidhur me ligjin e fundit ku u votuan termat “barazi gjinore” dhe “diskriminim”. Sipas tij, procesi i konsultimit publik nuk ka marrë në konsideratë vërejtjet e komuniteteve fetare, ndërsa ligji është miratuar “si imponim nga Bashkimi Europian” dhe jo si një nevojë reale e shoqërisë shqiptare.

“Gjatë gjithë procesit të dëgjimit, ne jemi interesuar për të ruajtur vlerën e familjes, por asnjë nga vërejtjet tona nuk u mor parasysh. Ata që e votuan, thanë se kështu kërkonte BE-ja. Pra, nuk erdhi si një nevojë reale e shoqërisë, por si imponim”, ka deklaruar Cikalleshi.

Myftiu theksoi se Shqipëria përballet me probleme shumë më të mëdha, si emigracioni apo moszhvillimi ekonomik, ndërsa çështjet e barazisë gjinore, sipas tij, nuk përbëjnë prioritet. “Kemi disa vite që nuk përfitojmë nga fondet IPARD të BE-së. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së ligjit për barazinë gjinore. Edhe tani që u miratua, nuk besoj se fondet do të vërshojnë”, shtoi ai.

Në vijim, Cikalleshi u shpreh se besimet fetare në Shqipëri përpiqen të ruajnë familjen dhe shoqërinë nga antivlerat, duke theksuar se “agjenda të tilla që duken si mbrojtje nga diskriminimi, në praktikë hapin rrugë për pasoja të tjera”. Ai paralajmëroi se pas këtij ligji, “do të diskutohet edhe martesa e të njëjtës gjini”, duke shtuar se “në vende të tjera janë parë pasoja absurde të tilla nisma”.

Sipas tij, çështjet që lidhen me identitetin gjinor janë “të gabuara fetarisht dhe shkencërisht”. “Nuk ka teori që njeriu lind në trup të gabuar”, u shpreh Cikalleshi, duke kritikuar gjithashtu mungesën e aksesit të komuniteteve fetare në edukimin e fëmijëve në shkolla.

Ai theksoi se ndërkohë që fetarët përjashtohen nga edukimi moral i të rinjve, “agjenda të tjera ideologjike” marrin hapësirë në sistemin arsimor. “Sa më të vegjël fëmijët, aq më e lehtë është të ndikohen për trajtime hormonale apo operacione që i përshtatin me ideologjinë e tyre”, përfundoi myftiu i Korçës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos