Në selinë e Partisë Demokratike ka nisur mbledhja e grupit, ku pritet të vendoset për aksionin opozitar në Kuvend, ku është përfolur si opsion edhe bojkoti.
Mbledhja e Grupit të PD është duke u zhvilluar para se në Kuvend të diskutohet projektbuxheti për vitin 2026 dhe pritet të vendoset nëse do të shmangin debatin për buxhetin apo do të përplasen me mazhorancën për të.
Një pjesë e mirë e deputetëve kanë zgjedhur të hyjnë nga dyert e pasme të selisë së PD, për të shmangur kontaktin me mediat. Po ashtu shumë prej tyre që kanë kaluar nga dera kryesore si Bledi Himçi, Jozefina Topalli e të tjerë kanë refuzuar të shprehen para gazetarëve.
Një ndër deputetët e paktë që nuk mbeti hermetik dhe ju përgjigj interesit të mediave ishte Ivi Kaso, i cili tha se nuk do të ketë bojkot.
“Nuk e di ku e keni dëgjuar”, u shpreh Kaso.
Ndërkohë, deputeti i qarkut të Korçës Bledion Nallbati u shpreh: “Në fund do të merrni vesh vendimin e mbledhjes së grupit. Bëhuni pak të duruar. Me qetësi, me qetësi.”
Sakaq, Luçiano Boçi deklaroi: “Do ta shpalos në mbledhje propozimin tim. Prandaj është mbledhja.” (A2 Televizion)
