
Policia e Elbasanit ka reaguar përmes një njoftimi për mediat pas denoncimit të kandidatit të “Shqipëria Bëhet” për Cërrikun, Elget Hima, se votuesit janë intimiduar në të gjitha qendrat e votimit në këtë bashki.
“Kam bërë një xhiro personalisht sot në qendrat e votimit, kam konstatuar persona që nuk asnjë funksion dhe intimidojnë votuesit. Jam këtu për drejtësi dhe jo për favorizim kundër ligjit”, tha Hima në një prononcim për mediat, shkruan A2 CNN.
Por sipas uniformave blu pas inspektimit në gjimnazin “Tomorr Sinani”, rezulton se nuk ka persona të paautorizuar në ambientet e kësaj qendre votimi.
“Në lidhje me pretendimet e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut. Gjithashtu, nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematik”, thuhet në reagimin e Policisë së Elbasanit.
Sakaq, policia nënvizon se mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për të verifikuar me përgjegjësi çdo njoftim apo denoncim që mund të lidhet me këtë proces. (A2 Televizion)

