“Ëndrra që nuk u shua”, stomatologu që pasionin për pikturën e realizoi në pension

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2023, 13:23 | Aktualitet

Ëndrrat dhe pasionet e rinisë pse jo edhe fëmijërisë, mund të plotësohen edhe gjatë kohës së pensionit. Dhe këtë e vërteton stomatologu i njohur i Gjirokastrës që nga vitet 70, Sedat Shameti.

Prej vitesh në pension, Sedati, nuk po pleqëron, por ka hapur ekspozitën e tij me 50 piktura, që shumë mirë mund të cilësohet edhe si ëndrra e tij në sirtar teksa ushtronte profesionin e stomatologut.

Hapja e një ekspozite edhe për një piktor profesionist është një sipërmarrje jo e lehtë. Dhe për këtë Sedati ka patur mbështetjen dhe inkurajimin e shokëve, por edhe mundime dhe netë pa gjumë që mosha nuk ja lejon t’i kalojë lehtë.

Por në fund, ai shprehet se gjithçka që kaloi ja ka vlejtur. Dhe pasi u ka lehtësuar dhimbjet sa e sa pacientëve gjatë kohës që ushtronte profesionin e stomatologut, Sedati tani ndjehet edhe më i plotësuar pasi ka kënaqur me punët e tij edhe publikun artdashës të Gjirokastrës dhe miqtë e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos