Nga qarkullimi i gjakut, muskujt dhe deri tek sistemi imunitar, organizmi i astronautëve pëson ndryshime të shumta gjatë qëndrimit në hapësirë. Kështu deklaroi në Dita Jonë në A2 CNN, astrofizikanti Erald Buneci, teksa foli për udhëtimin e fundit në Hënë të Artemis II. Sipas tij, një nga ndryshimet më të dukshme është tek sytë. Në kushtet e mungesës së gravitetit, lëngjet trupore shpërndahen ndryshe, duke ushtruar presion mbi zonën e kokës dhe duke ndikuar në fokusin e shikimit. Sipas tij edhe sistemi kardiovaskular pëson ndryshime, pasi zemra punon ndryshe në hapësirë.
“Trupi i njeriut përshtatet gjithmonë ka vetinë që të përshtatet. Kjo e ka bërë njeriun që të përmirësohet gjatë gjithë kohës në historinë e tokës. Kjo përshtatje fillon që me qarkullimin e gjakut, me muskujt, me kockat, me sytë, me sistemin imunitar, me mushkëritë, zemrën, zemra pastaj fillon e rreh më lehtë, domethënë gjaku fillon e shkon më shumë në pjesën e sipërme të trupit se nuk ka më peshën që ta çojë poshtë. Po dhe trupi ndryshon shumë dhe duhet të bësh stërvitje përditë që të marrësh veten. Syri ndryshon, fokusi i syrit ndryshon, mikrobet mund të ndryshojnë ritmin e tyre dhe viruset mund të aktivizohen. Domethënë janë bërë shumë analiza atje që të shihen gjithë këto efekte”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Megjithatë, sipas tij rikuperimi pas kthimit në Tokë është relativisht i shpejtë, sidomos për misione të shkurtra. Për një qëndrim rreth një javë në hapësirë, sipas ekspertit, mjafton nga disa orë deri në një ditë për t’u rikthyer në gjendje normale, edhe pse nevojitet kujdes dhe përshtatje graduale.
“Në varësi të kohës që ke ndenjur në hapësirë është dhe koha e rekuperimit, por për shtatë ditë mjafton gjysmë dite nuk plus minus e merr veten. Nuk është problem. Thjesht do një çik kujdes në fillim, se muskujt dobësohen”.
(A2 Televizion)