“Kam orë 200-vjeçare”, orëndreqësi rrëfen pasionin dhe historitë pas zanatit të tij

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 10:37 | Aktualitet

Orëndreqësi Nazmi Sula ka ndarë në Dita Jonë në A2 CNN historinë e tij të mbi 50 viteve punë, duke treguar për pasionin që e ka shoqëruar që në moshë të re dhe që më vonë u kthye në profesion. Ai thotë se në koleksionin e tij ka edhe ora mbi 200-vjeçare, përfshirë modele të vjetra xhepi dhe prodhime nga koha e Perandorisë Osmane.

“Këtu ka ora, sidomos këto të xhepit janë ora shekullore. Ka dhe ora që janë 200-vjeçare ose më shumë. Këto ora unë dikur i blija për pjesë. Ka dhe që kanë bërë dhurata. Ka nga ato që i ka pëlqyer një orë dore dhe e ka ndërruar me orën e dorës. Ka lloj-lloj. Kjo është prodhimi i Kostandinopojës?"

Sipas tij fillimet kanë qenë modeste, duke riparuar ora në shtëpi që në moshën 13–14 vjeçare. Më pas, pas viteve ’90, ai vendosi të hapte një dyqan dhe të braktiste profesionin e mësuesit për t’iu përkushtuar plotësisht zanatit që e kishte pasion.

“I kujtoj lekët e para. Kisha pasion motoçikletën. E shihja në ëndërr motorin dhe pas 90-ës, mora një dyqan se deri në 90-ën kam punuar në shtëpi unë. I bëja në shtëpi të gjitha. Mora dyqan”, thotë ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Në dyqanin e tij sot gjenden dhjetëra ora të vjetra, shumë prej të cilave nuk kanë më interes tregu dhe ruhen më shumë për vlerë sentimentale apo për pjesë këmbimi. Ai tregon se ndër vite ka pasur edhe klientë të veçantë, përfshirë koleksionistë dhe madje një deputet turk që ka blerë ora të rralla.

Megjithatë, puna nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Orëndreqësi rrëfen edhe raste stresuese me klientë që dyshojnë për ndërhyrje të padrejta në orët e tyre.

“Ora ka më shumë merak se çdo gjë tjetër për klientin”, thotë ai, duke shtuar se besimi është thelbësor në këtë profesion.

Sipas tij, kujdesi ndaj orës është i domosdoshëm: shmangia e goditjeve, nxehtësisë dhe lagështirës janë faktorë kyç për ta mbajtur në gjendje të mirë. Ai këshillon që ora të mos përdoret në det dhe të shpëlahet gjithmonë me ujë të pastër pas kontaktit me kripën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos