Eksperti amerikan Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, vlerësoi vendimin e Shqipërisë për të deklaruar Iranin si shtet sponsor të terrorizmit.
Duke folur në një lidhje direkte me emisionin “Rretheqark” nga Rosalba Bejdo në A2CNN, ai theksoi se ky veprim duhet të shërbejë si shembull për vendet e tjera në Ballkan dhe Evropë.
Edward P. Joseph vuri në dukje se Shqipëria nuk duhet t'i dorëzohet frikës, pasi kjo do ta rriste rrezikun.
“Nuk ka asnjë gabim vendimi i Shqipërisë që ta deklarojë Iranin shtet sponsor të terrorizmit, dhe të gjitha vendet në Ballkan dhe Europë duhet ta bëjnë këtë. Edhe vende të tjera në Ballkan kanë shkuar më tej, duke deklaruar Hezbollahun një organizatë terroriste. Kjo është pjesë e marrëveshjes Serbi-Kosovë në Uashington në 2020, ku Beogradi dhe Prishtina ranë dakord që ta quanin Hezbollahun organizatë terroriste. Nuk shikoj asnjë gabim që të thuhet e vërteta, që Irani është një shtet sponsorizues dhe shteti kryesor sponsorizues i terrorizmit. Po e kthej edhe njëherë pyetjen te ju: A do Shqipëria që të jetë e frikësuar nga një regjim si Irani që mund të përdorë terrorizmin si mjet? Kur dorëzoheni nga frika, rreziku vetëm rritet më tej”, deklaroi Joseph. (A2 Televizion)