Profesori Rigers Bakiu ka ngritur alarmin për të ardhmen e rezervave peshkore, gjatë një interviste për gazetaren Adelina Jonuzi në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.
Sipas tij, praktikat e gabuara në peshkim po ndikojnë ndjeshëm në zhdukjen graduale të peshqve, duke përfshirë peshkimin e paligjshëm, të paidentifikuar dhe të paraportuar.
Ai theksoi se zona të caktuara, si grykëderdhjet e lumenjve, nuk duhet të shfrytëzohen për peshkim, ashtu si edhe periudhat e riprodhimit, të cilat kërkojnë mbrojtje të plotë.
“Praktikat e gabuara sjellin peshkim të paligjshëm, i paidentifikuar, i paraportuar. Peshkimi në grykëderdhjet e lumenjve nuk lejohet, apo në kohën e riprodhimit, s’duhet lejuar.
Janë parashikime të bazuara në fakte shkencore, unë vet s’jam profet që mund ta jap me siguri një datë precize, por krijohen skenarë nëse do vazhdohet kështu, nëse do ketë ndërhyrje përmirësuese, pra ndërtohen skenarë edhe kur bëhen parashikime, por le të themi që në skenarin më të keq, për vetëm zonën e Adriatikut, për një periudhë që kap 20250-ta, jo më larg, ne këtu jemi vërtet të rrezikuar, sa i përket rezervave peshkore dhe vet biodiversitetin ujor. Ky është një mesazh ndërgjegjësimi. Këto që kemi këtu në Adriatik, Jon dhe lumenj, të mundohemi t’i mbrojmë”, shprehet ai. (A2 Televizion)