Studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanizimit morën një përvojë unike dhe të veçantë teksa përballë tyre kishin arkitektin e njohur botëror, Carlo Ratti. Në kuadër të Ditës së Dizajnit Italian , Instituti Italian i Kulturës dhe Agjencia Italiane e Tregtisë në Tiranë organizuan një leksion me temë "Qytete të Kuptueshme".
"Sot është një kohë shumë interesante në arkitekturë dhe planifikim. Është një kohë ku ne mund të bëjmë shumë eksperimentime me materialet, me format, me mënyra të reja ndërtimi. Dhe kjo është arsyeja pse jam aq i emocionuar që jam këtu. Shqipëria po eksperimenton shumë. Ka një traditë të gjatë të arkitekturës, një arkitekturë të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë. Pra, mund të thuash se është një 'laborator i gjallë' ideal një laborator ku idetë e reja dhe të guximshme mund të testohe”, tha Carlo Ratti.
Për arkitektin e njohur, inteligjenca nuk është vetëm artificiale, por mbi të gjitha natyrore.
“Ajo që do të diskutojmë sot lidhet në fakt me Bienalen e Venecias 2025. Vitin e kaluar pata privilegjin të isha drejtori i Bienales dhe tema ishte 'Inteligjenca: Natyrore, Artificiale, Kolektive'. Si mund të shfrytëzojmë lloje të ndryshme të inteligjencës për të ndërtuar qytete më të mira? Epo, kjo është ajo që do të diskutojmë sot. Sot, kur njerëzit mendojnë për inteligjencën, të gjithë mendojnë vetëm për AI (Inteligjencën Artificiale). Por në fakt, ka shumë më tepër se aq. Dhe kjo është pika që ne donim të theksonim: bëhet fjalë për inteligjencën natyrore, për inteligjencën kolektive”, theksoi Carlo Ratti.
Shqipëria dhe Italia ruajnë një bashkëpunim të shkëlqyer në arkitekturë, teksa shumë qytete shqiptare janë dëshmitare me ndërtimet ndër vite.
“Gjatë 100 viteve të fundit, Tirana dhe Shqipëria janë zhvilluar me shumë bashkëpunime me Italinë dhe arkitekturën italiane. Kjo është një dëshmi e llojeve të ndryshme të inteligjencës që punojnë së bashku për të bërë dhe ndërtuar qytete më të mira. Sa herë që ka shumë transformim dhe inovacion, është vërtet e rëndësishme të bëhemi bashkë, të ndajmë ide, të shkëmbejmë ide të reja. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot këtu në Universitetin e Tiranës: se si së bashku mund të gjejmë zgjidhje të reja për mjedisin e ndërtuar", vijoi Carlo Ratti.
Çdo vit, ky aktivitet sjell në Shqipëri emrat më të mëdhenj të botës së artit dhe ndërtimit, duke u dhënë mundësi studentëve shqiptarë të mësojnë se si të krijojnë qytete më të bukura në stil. (A2 Televizion)