“Ne i besojmë SPAK”, debat i ashpër në Parlamentin Europian për Belerin

Nga Xhevahir Qardaku
26 Janar 2024, 11:10 | Aktualitet


Çështja “Beleri” prodhoi një debat të fortë në Bruksel. Në diskutimet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për çështjet politike dhe situatën në Shqipëri, eurodeputetja greke nga radhët e Demokracisë së Re, Anna Michele Asimakopoulou, u përpoq që rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, ta shndërronte në një çështje europiane.

Duke përmendur disa rezoluta dhe rekomandimet të institucioneve të Bashkimit Europian, ajo tha se mbajtja në paraburgim e Fredi Belerit “ka dukshëm ndikim në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane”. Gjatë fjalës nuk munguan dhe ironitë.

“Është dhënë një shtyrje e dytë për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në paraburgim prej 8 muajsh. E gjithë kjo për akuzën e blerjes së votave me shumën "marramendëse", padyshim që po bëj shaka, 340 euro. Kujtohet se shtyrja ka të bëjë me kërkesën e tij për të marrë një licencë të kufizuar për t'u betuar si Kryetar Bashkie, siç e kërkon respektimi i prezumimit të pafajësisë, por edhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë që buron nga paketa e ligjeve dhe rregullave Europiane”, tha Anna Michele Asimakopoulou.

Deputetja greke kërkoi reagimin zyrtar të Komisionit Europian, i cili nuk i pëlqeu aspak.

“Rastin Beleri, ju e dini që e kemi ndjekur me shumë vëmendje. E kemi vënë edhe në Raportin vjetor të Zgjerimit, pasi ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë. Ne kemi thënë se kjo është një çështje shqetësuese. Ne nuk mund të komentojmë për hetimet në vazhdim, por kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që të ndiqet një proces i rregullt. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të vazhdojë të mbështesim strukturën e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha përfaqësuesi i Komisionit Europian, Hagleitner.

Greqia, duke përdorur rastin Beleri, ka bllokuar Shqipërinë në hapjen e kapitujve të parë të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos