Gjuha diplomatike ia kufizon fjalët që mund të thotë në mikrofon, por ministri i Jashtëm, Igli Hasani, zgjodhi konferencën për shtyp të fundvitit, për të pohuar se pret lajme të mira në fillim të 2024-ës, sa i përket hapjes së kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian.
“Shpresojmë që në fillim të 2024 bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit, por edhe në atë që ne kemi bërë, konferenca e dytë ndërqeveritare të realizohet të gjitha problematikat të anashkalohen dhe ne të hyjmë në vitin 2024 me kapituj të hapur dhe ide të qarta për rrugëtimin tonë drejt të qenit një anëtar i ardhshëm i BE.”
Çështja Beleri dhe drejtimi i Bashkisë së Himarës ushqen veton greke, por shefi i diplomacisë shqiptare pohon se ka komunikim të vazhdueshëm me Athinën, për të gjetur një zgjidhje.
“Ka bisedime, ka negociata, ka ide, angazhim serioz nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje. Një zgjidhje që do të japë një adrenalinë të re për vitin 2024. Ne po vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona që angazhimi i Shqipërisë në raport me rrugën drejt BE të jetë sa më i qartë.”
Një tjetër çështje që Shqipëria ka pezull me Greqinë është ajo e marrëveshjes për detin, ku palët kanë rënë dakord t’i drejtohen gjykatës së Hagës. Ministria e Jashtme ka kërkuar autorizimin e Presidentit të Republikës, nga i cili ende pret plotfuqinë për të vepruar.
“I kam shprehur edhe njëherë Presidentit të Republikës jo vetëm personale por edhe atë të Ministrisë së Jashtme, që ne ta ushqejmë me më shumë informacion, apo me më shumë ide, lidhur me vendimin që ai duhet të marri për të na fuqizuar me dhënien e mandatit për të filluar qartazi negociatat, që kanë ato detyrimet që kanë.”
Ministri Hasani konkludoi se viti 2023 ishte një periudhë e paprecedentë arritjesh dhe suksesesh për diplomacinë shqiptare. Në tre vitet e fundit, Shqipëria ka luajtur rol të dorës së parë në forumet më të larta të politikës ndërkombëtare, pohoi ai. (A2 Televizion)