Nis intervistimi i kandidatëve për drejtues të Policisë së Shtetit, kush janë 3 favoritët

Nga Julian Kasapi
24 Shtator 2024, 15:13 | Aktualitet

Pas Artan Didit, Haki Çakos, Ardi Veliut, Gledis Nanos dhe Muhamet Rrumbullakut kush do ta drejtojë Policinë e Shtetit me bekimin e kryeministrit Edi Rama? Në zbatim të procedurës së re, Komisioni i Posaçëm i ngritur për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm është gati për nisjen e fazës së intervistimit.

Të mërkurën në Ministrinë e Brendshme 11 kandidatët do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e policisë së shtetit ndërkohë që procedura e vlerësimit ka përfunduar. 

Pas vlerësimit të performancës së tyre  Komisioni i Posaçëm i përbërë nga zv.ministri i Brendshëm Besford Lamallari, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë Suzana Hoxha dhe kreu i AMP Florian Sulejamni do të vendosin pikë për secilin prej tyre.

Pas kësaj faze e cila do të zgjasë vetëm dy ditë, të premten ministri i brendshëm pritet të dërgojë në zyrën e kryeministrit emrin e propozuar për drejtorin e ri të përgjithshëm të policisë.

Mes kandidatëve të pikëzuar, por edhe në funksion të vizionit për kalimin e drejtimit të Policisë së Shtetit në duart e një gjenerate të re, siç u shpreh ministri Hoxha edhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, kandidatët më të përfolur janë Skënder Hitaj i Policisë së Durrësit, Ilir Proda i Elbasanit apo Altin Mena, nëndrejtori i Policisë së Lezhës.

Ndonëse mes emrave të tjerë ka drejtues me eksperiencë në Policinë e Shtetit, shumica prej tyre kanë mbajtur poste të larta për më shumë se 10 vite, ndërsa një kategori janë sprovuar në shumë drejtori të qarqeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos