Ka nisur zyrtarisht zbatimi i “Operacionit Pastrimi: Kavajë – Rrogozhinë 2026”, një nismë e Institucionit të Prefektit të Qarkut Tiranë, që synon garantimin e standardeve të larta të pastërtisë përgjatë vijës bregdetare, në prag të sezonit turistik.
Aksioni i parë u zhvillua në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku rreth 300 persona iu bashkuan një ndërhyrjeje të gjerë për pastrimin e zones, shkruan A2.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, forca të ushtrisë, si dhe maturantë nga gjimnazet e Gosës dhe Rrogozhinës.
Të pranishëm në terren ishin Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, dhe Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Andi Proshka, të cilët ndoqën nga afër punimet.
Një rol të rëndësishëm pati edhe ushtria, e angazhuar me pesë mjete të rënda për pastrimin dhe rehabilitimin e hapësirës bregdetare. Sipas prefektit Hajdari, ky bashkëpunim i gjerë institucional dhe komunitar synon jo vetëm pastrimin, por edhe kthimin e kësaj zone në një plazh publik dinjitoz për qytetarët dhe turistët. (A2 Televizion)