Sulmi i një qeni Pitbull ndaj një vajze 4-vjeçare në Lungomaren e Vlorës ka rikthyer sërish një nga shqetësimet më serioze të këtij qyteti dhe që rrezikon thuajse çdo ditë jetën e atyre që frekuentojnë Lungomaren por edhe në zona të tjera të qytetit.
Ndërsa reagimi i institucioneve pasi ndodhin ngjarje të rënda, duket i pamjaftueshëm për këtë problematikë. Jo me larg se tre muaj me parë A2 CNN trajtoi këtë problematikë nisur nga një tjetër rast ku qentë sulmuan një të moshuar.
Por problematika vijoi pas asnjë zgjidhje deri në rastin e vajzës 4-vjecare që fatmirësisht i shëptoi dhëmbëve të pitbullit.
Këto janë disa nga rastet që janë bërë publike, pasi nga të dhënat e institucioneve shëndetësore në Vlorë janë të paktën nga 25-30 raste në muaj, kur paraqiten persona që marrin ndihmë mjekësore pas sulmeve që kanë pësuar nga qentë. Është e pamundur të gjesh ndonjë person të moshuar që shëtit në Lungomare që të mos ketë patur të paktën një rast të sulmit nga qentë endacakë që shëtisin të lirë jo vetëm në Lungomare, por edhe në hapësirën e plazhit. Dhe të gjitha ato kërkojnë ndërhyrjen e bashkisë.
Edhe administratorja e të vetmes qendre strehimi dhe përkujdesje për kafshët endacake në Vlorë, ka kërkuar ndërhyrjen e bashkisë.
Nga ana tjetër Bashkia e Vlorës deklaron se ka në plan lëvrime fondesh dhe aplikime për projekte për trajtimin e qenve endacakë.
Derisa të marrin rrugë projektet, njerëzit dhe veçanërisht fëmijët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos vrapojnë apo të kryejnë veprime që mund të nxisin reagimin e qenve pasi askush nuk mban përgjegjësi për këtë situatë absurde në kryeqendrën e turizmit shqiptar, Vlorë. (A2 Televizion)