“Tarifa 50% atyre që shesin armë”, SHBA punon ngushtë me Iranin, Trump flet për pluhurin bërthamor

Nga Xhevahir Qardaku
8 Prill 2026, 14:01 | Bota

“Tarifa 50% atyre që shesin armë”, SHBA punon ngushtë

Armëpushimi i brishtë mes Amerikës dhe Iranit po mban. Presidenti Donald Trump, përmes Truth Social, bëri të ditur detaje të reja lidhur me pajtimin e arritur mes palëve për të negociuar një marrëveshje për paqe.

“Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë ngushtë me Iranin, për të cilin kemi përcaktuar se ka kaluar nëpër atë që do të jetë një ndryshim shumë produktiv i regjimit! Nuk do të ketë pasurim të uraniumit dhe Shtetet e Bashkuara, duke bashkëpunuar me Iranin, do të gërmojnë dhe heqin të gjithë ‘pluhurin’ bërthamor të varrosur thellë (nga bombarduesit B-2)”, shkroi Trump, përcjell A2 CNN.

Presidenti amerikan shtoi më tej se gjithçka në Iran ka qenë nën mbikëqyrje shumë të rreptë satelitore dhe sipas tij, asgjë nuk është prekur që nga data e sulmit, qershorin e kaluar. Trump bëri me dije gjithashtu se Uashingtoni dhe Teherani po flasin për lehtësimin e tarifave dhe sanksioneve. Ai pohon se Irani është pajtuar tashmë për shumë nga 15 pikat e planit të tij, por lëshon një paralajmërim.

“Një vend që furnizon Iranin me armë ushtarake do të tarifohet menjëherë me 50% për çdo mall të shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do të ketë përjashtime!”, shkroi Trump.

Ministri i Jashtëm i Iranit tha se ushtria e vendit të tij do të koordinojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën kritike të Hormuzit gjatë armëpushimit. Trump tha se rihapja e ngushticës ishte një kusht kyç i marrëveshjes për uljen e armëve. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, tashmë ka nisur qarkullimi disi normal në Ngushticën e Hormuzit.

Pakistani, që ka ndërmjetësuar gjatë gjithë kohës, po përgatit një takim mes delegacionit Amerikan me atë të Iranit. Përfaqësues pritet të jenë i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhëndri i tij Jared Kushner dhe zëvendëspresidenti JD Vance, ndërsa për Iranin, pritet të jetë kryetari i parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos