Nis protesta, studentët e qytetarët marshojnë nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë

Nga A2 CNN
25 Tetor 2026, 15:12 | Aktualitet

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar ka nisur protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, pavarësisht kushteve atmosferike. Në ditën e 13-të të kësaj proteste kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, studentë, të rinj dhe qytetarë kanë nisur të mblidhen në ambientet përpara Ministrisë së Arsimit për të vijuar marshimin drejt Kryeministrisë.

“Ndryshe nga ditët e tjera ka të rinj dhe të moshës madhore që i janë bashkuar. Situata duke më e qetë në krahasim me ditët e tjera. Protesta ka nisur me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndërsa ka të paktë me maska. Ka individë dhe grupe njerëzish që përpiqen të qëndrojnë bashkë në të gjithë Rrugën e Durrësit, ku të rinjtë janë të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre”, raportoi gazetarja e A2 CNN Luela Myftari për Ditarin me Denisa Pashollin në A2 CNN.

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh ndodhen në vendin e grumbullimit, ndërsa pjesëmarrës të tjerë vijojnë të mbërrijnë.

Protesta e sotme vjen pas përplasjeve të dhunshme të ditëve të mëparshme mes demonstruesve dhe forcave të policisë, si dhe plagosjes së disa protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Studentët dhe të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që ky i fundit prezantoi sot paketën e re ligjore, që parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos