
Një sipërfaqe e konsiderueshme toke në zonën e Novoselës vazhdon të jetë ende nën ujë, pavarësisht se kanë kaluar disa ditë nga dalja e Vjosës nga shtrati më 20 nëntor.
Edhe pse niveli i ujit është tërhequr ndjeshëm, gjurmët e përmbytjes mbeten të dukshme në shumë parcela bujqësore dhe zona të banuara, shkruan A2.
Për një periudhë prej rreth shtatë ditësh, situata ka qenë veçanërisht kritike, me nivelin e lumit që ka variuar nga 7 deri në 8.3 metra, duke e vënë në alarm të vazhdueshëm komunitetin dhe autoritetet vendore. Aktualisht, situata është normalizuar, por pasojat e përmbytjes janë të prekshme.
Në fshatin Mifol, një sipërfaqe e madhe pranë shtratit të lumit mbetet ende e përmbytur. Uji nuk është tërhequr plotësisht dhe tokat bujqësore janë të mbuluara nga balta, duke e bërë të pamundur punimin e tyre për një periudhë të pacaktuar.
Një pjesë e tregut në Novoselë vijon të mos jetë funksional për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga uji, çka ka krijuar vështirësi për banorët që e përdorin këtë hapësirë si pikë kryesore furnizimi dhe shitjeje. (A2 Televizion)