
Pas 11 ditësh bllokim si pasojë e një rrëshqitje masive në lotin e 3-të këtij aksi dhe pas ditësh të tëra pune deri në orët e vona, kompania ka arritur të largojë nga sipërfaqja e rrugës sasitë e mëdha të gurëve e dheut të rëna pas reshjeve të datës 7 janar 2026.

Tashmë nga ana e punonjësve janë duke u bërë pastrimet e fundit dhe larja e rrugës nga balta për ta bërë të aksesueshme të plotë për mjetet nga dita e hënë, raporton A2 CNN.

Sigurisht puna në zonat e prekura nga rrëshqitjet do të vijojë për të siguruar skarpatat dhe për të rehabilituar sipërfaqet e asfaltit të dëmtuar nga goditjet e forta të shkëmbinjve të cilat kanë shkaktuar edhe gropa.

Lëvizja për mjetet e zonës së Mokrës ka nisur që sot por me kufizime dhe vetëm 1 korsi në zonën e rrëshqitjes, ndërsa nga e hëna lëvizja do të jetë e plotë në të dyja korsitë për mjetet, shkruan A2 CNN.
Po ashtu është pastruar vendi edhe në rrëshqitjen e dytë masive të ndodhur në muajin dhjetor, për të cilën firma u detyrua të ndërtonte një bypass për kalimin e mjeteve edhe kjo pjesë rruge do të jetë e hapur në vijim, përcjell A2 CNN.

Kjo është shembja e tretë masive e skarpatave që nga inagurimi dhe hapja e rrugës të cilat shkaktohen si pasojë e reshjeve por edhe nga fakti se kemi të bëjmë me një terren argjilor delikat e që në raste reshjesh të dendura shiu shkakton rrëshqitje të tilla.

Nga ana e inxhinierëve thuhet se deri më tani nuk janë konstatuar zona të tjera me rrezik, por do të bëhet një tjetër kontroll i të gjithë lotit të 3 të. (A2 Televizion)