Prej së hënës Alfred Balla nuk është më anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë e njëkohësisht as kryetar i tij. Me 9 vota pro nga 10 anëtarë pjesëmarrës, Këshilli vendosi t'i përfundonte mandatin.
Fati i mandatit të Ballës u vu në diskutim për shkak të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që më 21 maj vendosi përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Sipas KLP, vazhdimi i detyrës nga Balla në Këshill ishte i papajtueshëm me vendimin e shkallës së dytë të vetingut.
Ish-kryetari i KLP iu nënshtrua vetingut për shkak të funksionit të tij të mëhershëm si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.
Vendimi që largoi Ballën nga qeveria e prokurorëve u parapri nga debate të forta mes anëtarëve.
Vetë Balla, përmes një shkrese dërguar me e-mail anëtarëve kërkoi t'i respektohet e drejta e tij kushtetuese për t'u dëgjuar dhe të analizohej drejt rasti i tij.
Alfred Balla u emërua në KLP nga Kuvendi i Republikës nga radhët e shoqërisë civile në vitin 2018 për një mandat 5-vjeçar. Mandati i tij kushtetues përfundoi më 18 dhjetor 2023, por ai vijoi mandatin në pritje të zgjedhjes së anëtarit të ri qe do ta pasonte. Prej marsit të vitit 2022 ai mbante detyrën e kryetarit të Këshillit.
Arta Mandro paraqet relacionin e Komisionit të Mandateve:
Mandati i Ballës përfundon 18.12.23. Edhe pse ka mbaruar mandatin ai ka vijuar, pasi Këshilli nuk ka dalë me vendim për mbarim mandati, pasi organi i emërtesës, Kuvendi, nuk ka zgjedhur një anëtar pasues.
Referuar vendimit të KPA, vazhdimi i detyrës nga Balla në KLP është i papajtueshëm me vendimin e KPA.
Në përfundim, komisioni i propozon KLP të deklarojë mbarimin e mandatit për z. Balla.
KLP vendosi të mbarojë mandatin e Ballës me 9 vota pro.
(A2 Televizion)