Specialistët e fushës bëjnë me dije se në vitin 2022, për shkak të gripit të shpendëve, numri i pelikanit kaçurrel ka rënë ndjeshëm.
Vasil Male bën të ditur se deri në vitin 2022 ka pasur më shumë se 450 çifte pelikanësh në këto ujëra, ndërkohë që pas gripit të shpendëve numri është reduktuar.
“Që nga pranvera e vitit 2022 është reduktuar në masë për shkak të gripit të shpendëve, pasi bën folenë dhe arrin në Prespën greke”, thotë Male. “Nga censusi që bëmë, kemi gjetur rreth 50 individëve kur zakonisht gjatë majit, brenda një dite numëronim 450 individë. Sot ka ardhur në rritje edhe për shkak të daljes së individëve të rinj e numri po vjen duke u rritur”.
Në të njëjtën linjë është edhe Llazo Stojan, specialist i biosferës, por ai thotë se deri në ardhjen e gripit të shpendëve kanë qenë mbi 1000 çifte pelikanësh kaçurrel, ndërkohë që së fundmi numri i tyre duket se po vjen në rritje.
“Ishte një sëmundje natyrore, pati ngordhje masive në zonën greke në Prespë e Vogël, pati ngordhje masive të pelikanit. Tani mund të them që ka numër të madh pelikanësh. Në 2015 kishte 1250 çifte, tani nuk mund të them saktë, por ka më tepër.”
Gjatë viteve të fundit, në ujërat e liqenit të Prespës krahas pelikanit kaçurrel janë shtuar dhe shpendët e llojeve të tjera, si dhe specie ujore. (A2 Televizion)