
Maliqi dhe disa zona të Qarkut të Korçës janë përballur ditët e fundit me probleme të mëdha si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit, të cilat kanë shkaktuar përmbytjen e një sipërfaqeje të konsiderueshme tokash bujqësore.
Fermerët e këtyre zonave, por edhe në të gjitha territoret në Shqipëri ku kishte përmbytje, kërkojnë zgjidhje konkrete dhe dëmshpërblim për humbjet e pësuara, shkruan A2 CNN.
Në lidhje me situatën, ministri i Bujqësisë, Andis Salla ka bërë me dije se procesi i verifikimit të dëmeve është në zhvillim, teksa ka premtuar se do të ketë dëmshpërblime për fermerët e dëmtuar.
Pjesë nga diskutimi:
Pyetje: Maliqi sot dhe Qarku i Korçës kanë probleme të mëdha nga moti, të cilat kanë përmbytur një masiv të madh tokash. A ekziston një skemë e gatshme për dëmshpërblime dhe kur pritet të ndodhë ky dëmshpërblim?
Ministri: Ne jemi duke verifikuar në terren, së bashku me ekipet tona të Ministrisë së Bujqësisë, edhe në Bashkinë e Maliqit. Jemi në fazën e evidentimit të çdo dëmi në bujqësi, në mënyrë që ta adresojmë pranë Qeverisë Shqiptare. Siç e keni parë, në takimin e kryesuar nga Kryeministri është vendosur një paketë financiare për të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet që kanë ndodhur disa ditë më parë. Ne kemi qenë në terren, së bashku me emergjencat civile, bashkitë dhe të gjitha ministritë përkatëse, për të ndihmuar qytetarët, në mënyrë që asnjë nga të prekurit të mos mbetet vetëm.
Ne, si Ministri e Bujqësisë, do të jemi në një proces të plotë evidentimi, si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e bashkisë, të cilat po e kryejnë këtë punë me seriozitetin më të madh, për ta adresuar më pas në një paketë të plotë. Qëllimi është të dimë saktësisht dëmet, çfarë janë ato dhe si do të jemi pranë qytetarëve për t’i mbështetur, por edhe për të vijuar me një bujqësi më të shëndetshme, duke investuar në argjinatura, në kanale kulluese dhe në çdo thirrje që kemi hapur për bashkitë, si edhe në procesin e evidentimit të financimit që do të bëjmë nga buxheti që ka Ministria e Bujqësisë.
Pyetje: Kjo do të thotë se do të ketë dëmshpërblim?
Ministri: Po, do të ketë dëmshpërblime.
Pyetje: Ka pasur sot një takim edhe në Librazhd sa i përket skemave kombëtare. Çfarë u diskutua në Librazhd dhe çfarë thonë fermerët?
Ministri: Për herë të parë po zhvillojmë një dëgjesë publike me fermerët. Jemi përpara skemës kombëtare, ku duhet të përafrojmë nevojat e tyre me buxhetin e vënë në dispozicion. Këto janë fonde të akorduara nga Qeveria Shqiptare për fermerët dhe Ministrinë e Bujqësisë. Si çdo vit, kemi një paketë prej 52 milionë eurosh për fermerët. Po i dëgjojmë problemet, shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, për t’i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian, pasi duhet të veprojmë në përputhje me çdo bazë ligjore përkatëse. (A2 Televizion)