“Përmendni Enverin”, komunisti përplaset me gazetarin: Imperializmi amerikan na ka marrë më qafë

Nga Senad Nikshiqi
29 Nëntor 2024, 10:46 | Aktualitet

Në 80 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, gjatë ceremonisë të zhvilluar në Shkodër tek varrezat e dëshmorëve, Partia Komuniste përmes sekretarit të saj Gjon Bruçi pranë bustit të ushtarit të panjohur vendosi yllin e kuq, simbol i diktaturës të Enver Hoxhës. Vendosja e yllit dhe nderimi me grushtin komunist nga përfaqësues të Partisë Komuniste u bë në praninë e drejtuesve vendorë, raporton A2 CNN.

Bruçi tha se është e turpshme që nuk përmendet fakti se Çlirimin e Shqipërisë e bëri Partia Komuniste. “Të përmendësh luftën dhe të mos përmendësh Partinë Komuniste dhe shokun Enver hoxha, do të thotë të mos jesh këtu”, tha ai.

Bruçi u shpreh se ishin komunistët që sollën lirinë në vend dhe se në këto 34 vite Shqipërisë sipas tij është e pushtuar. I vetmi moment kur Shqipëria kishte liri e Pavarësi sipas Bruçit është gjatë periudhës të diktaturës komuniste.

“Sot është më keq sesa kjo vranësi që është sot”, tha ai. I pyetur se nga kush jemi të pushtuar, ai u përgjigj: “Nga vetvetja, nga imperialistët amerikanë, nga imperialistët evropianë, nga Turqia...”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos