Peticioni pas protestës, më shumë se 700 qytetarë kërkojnë ndërprerjen e punimeve në burgun e Spaçit

Nga Arestina Skënderi
10 Qershor 2025, 17:08 | Aktualitet

Mbi 730 qytetarë dhe 35 organizata depozituan një peticion pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në burgun e Spaçit.

Aktivistët paralajmërojnë ndjekje penale për zyrtarët përgjegjës, duke e cilësuar ndërhyrjen si shkelje të ligjit dhe kujtesës historike, në një prej simboleve më domethënëse të vuajtjes dhe përndjekjes gjatë diktaturës komuniste.

Pas protestës në burgun e Spaçit, 35 organizata dhe 734 qytetarë depozituan një peticion pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përmes të cilit kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të çfarëdolloj punimi në ish-godinën e burgut të Spaçit. Aktivisti Edison Lika paralajmëroi se Inspektori pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore do të procedohet penalisht për shpërdorim detyre.

Jemi këtu për të kundërshtuar këtë ndërhyrje sepse ajo bie ndesh me planin e menaxhimit që vetë kjo qeveri ka miratuar. Në këtë plan thuhet qartë se nuk do të ketë ndërhyrje që tjetërsojnë kujtesën, vlerat historike apo strukturën e burgut kamp të Spaçit. Gjithashtu, kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë Përmes kësaj komunikate duam t’i themi edhe Inspektoratit, ose inspektorit përgjegjës pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, se do të procedohen penalisht për shpërdorim detyre nëse nuk merren masa për ndalimin zyrtar të punimeve dhe ndërprerjen e menjëhershme të këtij projekti.

E vetmja mënyrë për ta çmuar lirinë është ruajtja e vendeve simbol të vuajtjes dhe përndjekjes, pohon Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, teksa pyetet se pse është me rëndësi mosprekja e Spaçit.

Shumë vende sot në botë edhe të zhvilluara po rrezikojnë të kalojnë në autoritarizëm dhe ne nuk jemi të imunizuar ndaj kësaj dhe e vetmja mënyrë për te edukuar popullatën dhe qytetaret është të mbrojmë vendet e vuajtjes si një garanci qe histori a nuk përsëritet.

Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe në funksion të një filmi artistik, disa objekte të burgut të Spaçi po suvatohen, duke rrezikuar, siç thonë aktivistët , të fshijnë shenjat e së shkuarës që nuk duhet harruar.

Në fundjavë, pasi i cilësoi si ‘tymnajë’ shqetësimet e shoqërisë civile mbi ndërhyrjet në ish-kampin famëkeq të regjimit komunist, ministri i Ekonomisë dhe Kulturës Blendi Gonxhja reagoi përsëri, duke premtuar se autoritetet do të respektojnë planin e menaxhimit.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos