Situata e krijuar në vend si pasojë e reshjeve të dendura të shiut po shkon drejt përmirësimit, sipas ministrisë së Mbrojtjes.
Ministri Niko Peleshi bëri të ditur mbrëmjen e së premtes se strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje.
Po ashtu, bëhet e ditur se Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata, sipas MM, është përmirësuar ndjeshëm.
Vëmendje e shtuar raportohet të jetë treguar në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.
Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit. Në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta.
Mbrojtja apelon qytetarët që në rast nevojë “të njoftojnë në kohë dhe shmangin lëvizjet e panevojshme.” (A2 Televizion)