Interes i lartë në Shijak për Paketën e Maleve, Arbana: Më pak kërkesë në Durrës e Krujë

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 13:55 | Aktualitet

Bashkia e Shijakut ka pasur numrin më të lartë të aplikimeve për paketën e maleve, krahasuar me bashkitë e tjera të qarkut të Durrësit. Nga 96 aplikime në total për bashkitë Durrës, Krujë dhe Shijak, pjesa më e madhe i përket kësaj të fundit. Në një lidhje me Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN, kryebashkiaku Elton Arbana tha se deri më tani numri i aplikimeve ka arritur në 60.

“Deri më tani janë rreth 60 aplikime. Numri është progresiv. Nëse referohemi javën që shkoi kanë qenë 54 aplikime, nga të cilat 28 prej tyre janë brenda hartave, të cilat janë miratuar me vendim të këshillit bashkiak dhe nga Ministria. Dhe gjysma e tyre janë jashtë hartave. Sigurisht që këto s'kualifikohen, por kjo është një indicie e mirë për të kuptuar që ka interes edhe për ato toka të tjera që s'kanë qenë futur nëpërmjet hartave me vendim të Këshillit Bashkiak”, tha kryebashkiaku Arbana në A2 CNN.

Sipas tij interesi i lartë në Shijak lidhet edhe me pozicionin gjeografik dhe mundësitë për investim.

“Ndoshta dhe për shkak të shtrirjes gjeografike ku ndodhet bashkia e Shijakut. Paketa e maleve nuk ka të bëjë vetëm me malet, ka të bëjë me fushat, me kodrat, me lëndinat. Është njësoj sikur themi ligji 7501 që po t'jua bëj ju pyetje, ju do thoni direkt që është për tokat bujqësore. Ndërkohë 7501 është një numër dhe nuk flet për toka, por duke lexuar ligjin, ju e kuptoni që ka të bëjë me AMTP-t apo me ligjin 7501 për tokat bujqësore. E njëjta gjë do të thotë dhe paketa e maleve. Nëse ne lexojmë ligjin për të cilët flitet për paketën e maleve, do të kuptojmë që ka të bëjë me tokat që janë në kodra, në fusha, lëndine, lëndine apo dhe male”, theksoi ai.

Sipas tij dy njësitë administrative më të prekura janë Gjepala dhe Maminasi. Vetëm në zonën e Likeshit raportohen projekte që kapin vlerën e rreth 5 milionë eurove.

“Dy njësi administrative preken më shumë nga ligji i paketës së maleve për t'u zhvilluar. Kjo është njësia administrative Gjepal dhe ajo administrative e Maminasit këtu në fshatin Likesh që ndodhet në njësinë administrative Gjepal dhe këtu ka aplikime dhe do të thoja që vetëm dy aplikime të cilat janë bërë në këtë zonë flitet rreth 5 milion euro investime”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos