Proda në Çeki: Bashkëpunim në luftën e krimit dhe korrupsionit, mbështetje në projektet e integrimit

Nga A2 CNN
17 Janar 2025, 10:08 | Aktualitet

Proda në Çeki: Bashkëpunim në luftën e krimit dhe

Policia çeke do të mbështesë Policisë shqiptare, për hartimin dhe prezantimin e projekteve të ndryshme, të cilat ndihmojnë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Premtimi u dha nga zëvendëspresidenti i Policisë çeke Gjenaral Major Tomas Kubik, gjatë vizitës së kreut të Policisë shqiptare Ilir Proda dhe drejtorit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati, gjatë vizitës zyrtare në Pragë.

“Përgëzime për angazhimin, përkushtimin dhe rezultatet e arrira në luftën kundër krimit. Policia çeke ofrohet për të qenë mbështetëse dhe mentore e Policisë shqiptare, për hartimin dhe prezantimin e projekteve të ndryshme, të cilat ndihmojnë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Kubik.

Sipas njoftimit të Policisë, Proda dhe Kubik u dakordësuan për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm për shkëmbimin e informacionave, mbështetjes logjistike për Policinë Rrugore apo për patrullime të përbashkëta gjatë sezonit veror, por dhe në fusha të tjera.

Proda në Çeki: Bashkëpunim në luftën e krimit dhe

“Bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy policive kriminale dhe atë në fushën e sigurisë, t’i shtrijmë në të gjitha fushat e tjera, në interes të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe të rritjes së parametrave të sigurisë, pasi si në Çeki dhe në Shqipëri ka prani të shtuar të qytetarëve të të dy vendeve, si vizitorë, turistë, por dhe për qëllime biznesi. Me këtë lëvizje të shtuar, padiskutim që lëviz dhe elementi kriminal”, theksoi Kubik.

Ndërkohë Nallbati dhe Kubik siguruan Prodën se dy Policitë Kriminale do të bashkëveprojnë në koordinim dhe me agjencitë ligjzbatuese Interpol, Europol dhe të tjera, për të hetuar dhe goditur krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, terrorizmin dhe emigrimin e paligjshëm.

Proda theksoi se Policia e Shtetit e ka të qartë rrugën e saj, “rrugë e cila ka vetëm një drejtim, bashkëpunimin e ngushtë, profesional, të barabartë dhe të bazuar në besueshmëri, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin që është global dhe që kërkon patjetër bashkim forcash, vlerash dhe idesh”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos