Protestuesit përplasen me policinë, Bardhi: Garantoni tubimin paqësor

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2024, 17:22 | Aktualitet

Protestuesit përplasen me policinë, Bardhi: Garantoni tubimin

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar Partia Demokratike nisi në orën 17: 00 protestën me bllokimin e rrugëve kryesore ne kryeqytet, në vazhdën e aksionit të mosbindjes civile. Edhe pse forcat e policisë i kanë njoftuar se nuk do të lejojnë zhvillimin e protestës, pasi sipas tyre bllokimi i rrugëve përbën vepër penale dhe organizatorët do të mbajnë përgjegjësi, kjo nuk i ka penguar demokratët që të mblidhen në 5 pikat kryesore.

Me thirrjet “Rama ik!” dhe “Policia e krimit” protestuesit kanë nisur protestën në rrugën e Elbasanit, e cila nisi me përplasje mes deputetit demokrat Flamur Noka dhe forcave të policisë.

Nga sheshi Willson kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi i kërkoi policisë që të bëjë detyrën e saj duke garantuar tubimin paqësor dhe të devijojë trafikun.

“Nuk është bllokim, jemi te vijat e bardha, juve keni një detyrim të garantoni tubimin paqësor qytetar dhe të merrni masa për rregullimin e transportit. Devijojini ju, bëni detyrën tuaj, ne bëjmë detyrën tonë”, u tha Bardhi policëve.

Tensione mes policisë dhe protestuesve ka edhe te Bashkia. Protestuesit kanë bllokuar pikat kryesore të lëvizjes në kryeqytet nga Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Uillson” dhe “Pallati me Shigjeta”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos