Kryeministri Edi Rama ka vijuar sërish sot kritikat ndaj një tjetër gjyqtari. Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë shprehet se gjykatësi nuk ka lejuar heqjen e një ndërtimi pa leje që ka bllokuar banorët mes dy pallateve. Sipas tij gjyqtari nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje.
“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit.
Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit”.
Sikurse i kërkoi edhe një ditë më parë ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Rama thotë se "gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit".
Rama njofton gjithashtu se do të kërkojë që ankimet në organet e drjetësisë të bëhen edhe nga banorët.
“Ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor”.
Kryeministri u përgjigjet edhe atyre që e konsiderojnë presion të tij mbi gjyqësorin dhe thotë se nuk do të heshtë për të mbrojtur interesin publik.
“Post Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare
Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.
Shikojeni vetë çfarë tmerri ka marrë në mbrojtje gjykatësi Ligoraq”, shkruan Rama. (A2 Televizion)