Menaxhimi mbetjeve në Shqipëri do të bëhet i ndarë në 10 zona të ndryshme përmes landfilldeve, impianteve për ndarje dhe kompostim mbetjesh dhe stacione transferimi, duke hequr dorë nga inceneratorët. Lajmin e ka ndarë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro teksa prezantoi strategjinë e trajtimit të integruar të mbetjeve, ku theksoi se do të ketë sanksione të ashpra ndaj ndotësve.
“Zgjerim i landiflleve ekzistuese, ndërtim i landfilleve të rinj, mbyllje e venddepozitimeve të pakontrolluara në të gjitha zonat. Ashpërsim i sanksioneve. Është e rëndësishme që bizneset të kenë detyrim ligjor për të djegur e gjurmuar çdo mbetje që gjenerohet prej tyre”.
Sfidë për ministren, është shtimi i flukseve turistike, pasi sipas saj bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete për menaxhimin e mbetjeve.
“Ajo që shton sfidën është shtimi i flukseve turistike. Nuk është e njëjta gjë si të menaxhosh mbetjet e 2.5 mln banorëve dhe mbetjet e 15 mln banorëve dhe kjo mbetet vështirësi për bashkitë sidomos për bashkitë e vogla. Nëse përmendim bashkitë e vogla Bashkia e Përmetit dhe Gjirokastrës nuk është e mundur për këllqet e këtyre bashkive që ta përballojë vetëm me të ardhurat e tyre”.
Kumbaro solli në vëmendje se duke e krahasuar me vitin 2013 kur PS erdhi në pushtet, ku ishte vetëm një landfilld, sot janë 7, por që nuk mjaftojnë.
“Në 2013 mblidheshin në territor 51% e mbetjeve të gjeneruar nga familjet e bizneset. 2020 jemi në 87% dhe në 2024 arritëm në 98% të mbledhjes së mbetjeve. Në 2013 kishim vetëm një landfilld, sot kemi 7 të tilla por këto nuk mjaftojnë, duke marrë parasysh relievin çka e bën të vështirë ushtrimin për bashkitë si bashkia e Tropojës që e ka territorin shumë të vështirë dhe mbetjet që shohim në sipërfaqe të liqenit të Komanit, nuk janë mbetje të hedhura në liqen por të fshatrave të ndryshëm malorë që nuk arrijnë të mblidhen e të shkojnë në një pikë fundore”.
Kumbaro prezantoi edhe investimet në proces në Zonat e Menaxhimit të Mbetjeve Berat, Dibër, Korçë, Durrës, Vlora-Veri, Gjirokastër – Vlora Jug dhe Kukës, nga pikat fundore deri te mbyllja e venddepozitimeve jashtë standardeve, si edhe ngritjen e Sistemit të Integruar të të Dhënave Mjedisore, si një platformë digjitale që do të sigurojë të dhënat parësore në kohë reale mbi regjistrin e mbetjeve urbane dhe transfertat e mbetjeve. (A2 Televizion)