Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e fundit për situatën nga zjarret në vend, sqaron se në Devoll dhe Vlorë dy vatra janë ende aktive, ndërsa tre vatra të tjera janë duke u mbajtur në monitorim në pjesë të tjera të territorit të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në harkun kohor nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht 2025, janë raportuar gjithsej 14 vatra zjarri në territorin e vendit.
Vatra Aktive
• Delisuf, Bashkia Vlorë
Zjarri që u aktivizua më 25 gusht në pyllin e Pishë-Poros vazhdon të jetë i pranishëm. Aktualisht, mbi 50 forca zjarrfikëse, bashkiake dhe efektivë të Forcave të Armatosura janë të angazhuar në terren, të pajisur me 3 automjete operative. Zjarri ka intensitet të ulët dhe po digjen kryesisht trungje brenda perimetrit ekzistues.
• Miras, Bashkia Devoll
Në këtë zonë pyjore, zjarri vijon të përhapet, ndërsa mbi 70 forca të MZSH-së, bashkisë dhe vullnetarë janë duke punuar për izolimin dhe shuarjen e tij.
Vatra në Monitorim
• Bogovë, Skrapar
Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat bashkiake po e mbajnë nën vëzhgim për të shmangur riaktivizimin.
• Pezë Helmës, Tiranë
Vatrat e izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen nga ekipet në terren.
• Parku Natyror Gërmenj, Korçë
Në zonën e piramidave 14–15, një vatër e riaktivizuar është izoluar dhe mbetet nën mbikëqyrjen e forcave operacionale. (A2 Televizion)