Hoxhallarët e Shqipërisë bëhen bashkë në një apel kundër gjenocidit në Gaza, duke dënuar masakrat ndaj civilëve palestinezë dhe heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare. Në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar nga 246 hoxhallarë nga e gjithë Shqipëria, theksohet se në Gaza po ndodh një krim historik dhe një gjenocid i hapur.
“Ky është një krim që nuk mund të justifikohet me asnjë argument politik, ushtarak apo fetar. Kriminelët duhet të ndalen menjëherë, lufta të marrë fund, ndihmat humanitare të hyjnë lirshëm dhe drejtësia të vihet në vend”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre Gaza është kthyer në “një plojë gjaku njerëzore që e gjithë bota e sheh në kohë reale, por bën sehir”.
Ata u bëjnë thirrje qeverive, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave humanitare të marrin përgjegjësitë e tyre për të ndalur këtë tragjedi.
“Çdo ditë që heshtet për këtë tragjedi është një plagë e re dhe një turp i rëndë në ndërgjegjen e njerëzimit.”
Hoxhallarët kërkojnë që edhe drejtuesit politikë e fetarë të Shqipërisë të pozicionohen “në anën e duhur të historisë, që është ana e së drejtës, humanizmit dhe së vërtetës.”
Sipas shifrave zyrtare mbi 62 mijë njerëz janë vrarë, ndërsa burime të tjera e çojnë këtë numër deri në 100 mijë viktima dhe të zhdukur, shumica gra dhe fëmijë.
(A2 Televizion)