Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar raportin vjetor, në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në botë, ku ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika.
Në indeks vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias, po përshpejton rënien e lirisë së saj.
Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit, duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.
Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.
Organizata “Reporterët Pa Kufij”, vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri është i vështirë. Ajo ka humbur tri vende, krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.
“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre.”
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta, duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim, duke u renditur e 36-ta.
Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tri vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea. (A2 Televizion)