Përkeqësohet liria e shtypit në Kosovë

Nga Ideal Gola
3 Maj 2024, 09:46 | Politikë

Përkeqësohet liria e shtypit në Kosovë

Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve të tyre majin e vitit të kaluar në veri të Kosovës, kur u rritën tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij u tha po ashtu se mediat në Kosovë janë të varura nga reklamat qoftë “nga Qeveria apo nga partitë politike”.

“Për më tepër, përmes pronarëve të tyre, mediat private janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha në tregun e vogël, ku disa media varen nga financimi që vjen nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos