Kryeministri Edi Rama zgjodhi të urojë punëtorët në ditën e 1 Majit, ndërsa ishte i pranishëm në impiantin e Ferrokromit në qytetin e Elbasanit. Ai u shpreh se urimi i tij ishte që çdo njeri i punës të ketë vetëm bekime, shëndet e vetëm sukses.
Më pas, kreu i qeverisë u ndal edhe tek investimi 2 milionë euro i impiantit të Ferrokromit, që do të shërbejë për ndalimin e emetimit të CO2 në ambient, duke vendosur të gjithë filtrat e domosdoshëm.
Këtë investim, ai e konsideroi si të rëndësishëm dhe një premtim jo vetëm për vetë kompaninë, por edhe qeverinë, ardhur pas reagimit legjitim, sikurse e konsideroi ai të komunitetit, por edhe të institucioneve shtetërore.
“Më vjen mirë që sot në këtë ditë tradicionalisht të shënuar të 1 Majit të jem këtu me të gjithë ju, e të përfitoj nga rasti që edhe drejtpërdrejt, me zë, t’i uroj të gjithë njerëzve të punës, ata që besojnë te puna, e atyre që bashkojnë forcat në punë, të gjithë njerëzve që, përmes punës po provojnë se asgjë nuk është e pamundur në këtë vendin tonë të bekuar e po bëjnë sukses, që nga majat e maleve e deri poshtë në fushat e begata të Shqipërisë.
Dhe urimi im është që çdo njeri i punës të ketë vetëm bekime, shëndet e vetëm sukses.
Sot na solli këtu një premtim i mbajtur i kompanisë pas një udhëkryqi dhe një ngërçi të krijuar si rezultat i reagimi legjitim të komunitetit dhe po ashtu edhe një reagimi legjitim të institucioneve shtetërore për të ndalur emetimin e CO2 duke vendosur të gjithë filtrat e domosdoshëm.
Kompania e kishte në plan ta bënte këtë investim, por nga ana tjetër për ne ishte e rëndësishme që ky investim të vendosej në prioritetet e kompanisë, si prioriteti numër 1. Është 2 milionë euro investim”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij kryeministri Rama.
Ministrja Balluku: Njihet botërisht sesa e pasur është nëntoka jonë me minerale
"Është kënaqësi që të jemi këtu sot në përmbushje të një premtimi të dhënë nga Albchrome. Duhet thënë që kjo ndërmarrje është krijuar në 1979 dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zinxhirin e vlerave minerale të Republikës së Shqipërisë. Njihet botërisht sesa e pasur është nëntoka jonë me minerale, por çka është më e rëndësishme për t’u thënë është që përpunimi i këtyre mineraleve rrit vlerën e këtij zinxhiri, ndaj dhe ne e konsiderojmë të gjithë kontributin e Yildirim në Republikën e Shqipërisë si një kontribut i rëndësishëm dhe thelbësor.
Kjo uzinë përpunon rreth 8500 ton mineral kromi në muaj dhe prodhon rreth 3200 ton ferrokrom të pastër duke siguruar kështu një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e vlerës dhe veprimtarisë minerare. Kjo uzinë sot ka 180 punonjës të cilët paguhen me një pagë mesatare të kënaqshme për tregun, por nga ana tjetër ç’ka është më e rëndësishme për ne, këtu përmbushen të gjitha standardet e sigurisë dhe ato që duhet të ketë çdo ndërmarrje që operon në sektorin minerar.
Kemi gjetur një situatë aspak të mirë në këtë sektor vetëm pak vite më parë. Para 5 vitesh na është dashur që të nisim një reformë të thellë të sektorit, por sigurisht kur kemi shembuj të mirë, ashtu siç është rasti AlbChrome, është më e lehtë për ne që ti tregojmë edhe atyre kontributorëve të tjerë sesi duhet të jetë kjo kornizë ligjore dhe e sigurisë në punë që duhet përmbushur nga të gjithë pa përjashtim.
Duhet thënë dhe duhet nënvizuar se 100% e prodhimit të kromit në vendin tonë sot vjen nga sektori privat. Kështu që është një fakt që në këtë sektor privat, në të gjithë industrinë minerare, punojnë më shumë se 7 mijë punëmarrës në të gjithë vendin, ndërkohë që prodhimi minerar arrin 150 milionë euro në vit duke përbërë kështu 1.5 deri në 2% të Prodhimit Bruto. Shifër kjo shumë e rëndësishme, ndërkohë që eksporti arrin 80 milionë në vit.
Në vitin 1990 Shqipëria mbante vendin e tretë për prodhimin e kromit. Sot kjo industri po ringjallet, por duke pasur parasysh që në vendin tonë nuk ka vetëm krom, ne kemi nisur nga puna për të parë dhe për të studiuar thellësisht nëntokën tonë dhe sigurisht për t’u bërë më atraktiv për të gjithë investitorët e huaj." (A2 Televizion)