Rrëshqitja e dheut tek Arrat e Gurrës, ndalohet plotësisht qarkullimi në aksin Librazhd-Pogradec

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2026, 13:38 | Aktualitet

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton ndalimin e plotë të qarkullimit në aksin Librazhd-Pogradec në vendin e quajtur Arrat e Gurrës. Sipas njoftimit të ARRSH-së ky vendim u mor në koordinim me Policinë e Shtetit, për arsye sigurie për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të këtij aksi nga rrëshqitjet e dherave. ARRSH njofton se po merren masat e nevojshme për të ndërtuar një bypass provizor, ndërsa u bën thirrje drejtuesve  të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative.

“Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment.  Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.

U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, ndërkohë që përdoruesit e autoveturave të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan- Moglic-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, njofton ARRSH.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli tha se qarkullimi do të mbetet i bllokuar deri në marrjen e një mase provizore me një Bypass në krah të skarpatës që po zhvillohet aktualisht. Sipas tij ura nuk shfaq siguri.

“Kemi në mbikëqyrje tashmë prej javësh por gjatë 48 orëve të fundit ka pasur përkeqësim të ndjeshëm,  dhe jemi të detyruar të bllokojmë përkohësisht trafikun deri në zbatimin e një mase provizore me një Bypass në krah të skarpatës që po zhvillojmë. Ka një zhvillim të vazhdueshëm në përkeqësim se nga mëngjesi spostimi i urës ishte 27 cm, ndërkohë që aktualisht është 29 cm. Nga vizita që bëmë poshtë urës, po thërrmohet betoni. Kështu që jemi të detyruar të bëjmë bllokimin total jo vetëm për mjetet e rënda sikurse njoftuam në mëngjes, por edhe për mjetet normale. Sot në orën në mëngjes zhvilluam një mbledhje në mëngjes, dhe konkluzioni ishte ky. Por po verifikonim saktë në terren që të ishte masa e duhur. Ura në këtë moment nuk shfaq absolutisht siguri”, u shpreh ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos