
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i përcolli shqiptarëve mesazhin për rëndësinë e ruajtjes, përcjelljes së gjuhës shqipe.
Në profilin zyrtar në Facebook, Presidenti Begaj publikoi video-mesazhin me poezinë “Gjuha shqype”, të interpretuar nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Selim Alliu” në Peshkopi, shkollë e cila është fituesja aktuale e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe.
“Krenar për gjuhën tonë amtare shqipe. Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare,”- shprehet Presidenti i Republikës.
Këto vargje të Fishtës, si në kohën kur u shkruan, edhe sot, kanë të njëjtin kumbim për bukurinë e gjuhës shqipe, përcjelljen e saj nga brezi në brez, ruajtjen e gjuhës në vise e fe të ndryshme, si edhe fuqinë e saj si elementi identitar i kombit tonë.
Pikërisht këtë mesazh ka ndarë sot Presidenti i Republikës, me synim ndërgjegjësimin e çdo shqiptari për ruajtjen, përcjelljen dhe pasurimin e gjuhës shqipe. (A2 Televizion)