Pijet me ngjyrë, të gazuara, konsumimi i ëmbëlsirave dhe i ushqimeve të gatshme po prishin më shpejt dhëmbët e fëmijëve.
Konstatimi vjen nga stomatologët pranë shkollave, të cilët po konstatojnë dëmtime të dhëmbëve dhe mbushje të tyre në mosha më të hershme. Mjekët stomatologë rekomandojnë ushqyerje të shëndetshme dhe ruajtjen e higjenës orale, ndonëse pranojnë se vitet e fundit është rritur ndërgjegjësimi i prindërve për shëndetin dentar të fëmijëve. Por vetë fëmijët tregojnë se në të shumtën e rasteve janë prindërit që i kujtojnë për larjen e dhëmbëve apo dhe për ushqimet që nuk duhet t’i konsumojnë shpesh, shkruan A2 CNN.
Prej dy vitesh, në shkollat publike 9-vjeçare janë rivendosur kabinetet dentare. Rreth 200 stomatologë kryejnë kontrolle periodike tek nxënësit e shkollave dhe shërbime dentare në varësi të gjendjes së tyre. Çdo ndërhyrje kryhet vetëm pasi është dhënë miratimi nga prindërit.
Referuar të dhënave nga Operatori i Kujdesit Shëndetësor, fëmijët në qytet kanë më shumë kujdes për dhëmbët se moshatarët e tyre në zonat rurale. Por mes fëmijëve, kujdesin më të mirë oral e kryesojnë fëmijët në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, ndërsa i ulët vihet re në Bulqizë, Përrenjas dhe Librazhd. (A2 Televizion)