Pas rastit të fundit me meningit të paraqitur në spitalin e Durrësit dhe më pas shtrimit në QSUT, ka reaguar Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Durrës, duke dhënë detaje mbi situatën. Sipas saj, nga të dhënat e fundit, mësohet se nuk është paraqitur asnjë rast i dyshuar me meningit gjatë urgjencave pediatrike dhe të të rriturve në Durrës, shkruan A2 CNN.
“Saktësisht sot datë 14.02.2025 nga informacionet e marra nga Urgjenca pediatrike dhe Urgjenca e të rriturve ne SRD kemi këto të dhëna: Urgjenca Pediatrike 128 vizita dhe ASNJË rast meningit, Urgjenca e të rriturve 228 vizita nga këto 66 status febril dhe ASNJE rast meningit”.
Sipas njësisë vendore pas rastit të dyshuar të nxënësit të shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, njësia nisi hetimin epidemiologjik, duke dërguar ne SRD stafin, marrjen e kontakteve me familjaret dhe detajet për marrjen e masave.
“Rasti suspect ishte nxënës i shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, menaxhuar në kohë nga ana e SRD, dhe dërguar po në kohë në QSUT, aktualisht nën mbikëqyrjen e mjekëve. Pas konfirmimit të rastit nga ana e QSUT, NJVKSh Durrës filloi hetimin epidemiologjik, duke dërguar në SRD stafin për fillimin e hetimit, marrjen e kontakteve me familjaret dhe detajet e nevojshme si element të nevojshëm për marrjen e masave. Në mënyrë urgjente ju këshillua Profilaksia (nxënës, familjar, mësues, staf shëndetësor). Gjithashtu stafi i Epidemiologjisë është paraqitur në ambientet e shkollës, për vazhdimin e hetimit, komunikim i vazhdueshëm me strukturat e arsimore”, thuhet në njoftim, raporton A2 CNN.
Njësia informon se nuk jemi në situatë paniku meningjitin, ndërsa thekson se vijon puna për informimin e prindërve dhe nxënësve mbi simptomat e sëmundjes.
“Në shkolla të qytetit vazhdohet me takime informuese ne lidhje me informimin e stafeve, prindërve dhe nxënëseve ne lidhje me shenjat identifikuese, takime të cilat do te bëjnë dhe një informim të drejte rreth situatës, si dhe dhënien e informacionit se nuk jemi në kushtet për të patur një situatë paniku në shkollat e qytetit të Durrësit. Riktheksoj faktin se flasim vetëm për një rast të konfirmuar, pavarësisht situatës që parashtrohet në media. Një rast i patur disa kohë më parë dhe në këtë situate aktuale është ndjekur me të njëjtin mënyrë dhe hapat e investigimit dhe masat për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, i dhe kemi komunikuar me email zyrtar dhe me ZVA Durrës që jemi vetëm në këto kushte dhe nuk jemi në situatë tjetër për të shtuar asnjë element paniku”. (A2 Televizion)