Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Ursula von der Leyen: Presim të hapim sa më shpejt grup-kapitujt e parë me Shqipërinë

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 21:03 | Aktualitet

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Ursula von der Leyen: Presim të hapim

“Bashkimi Europian do që të hapë bisedimet për grup-kapitujt e parë sa më shpejt të jetë e mundur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.” 

Kështu e ka nisur fjalimin e saj presidentja e Komisionit Europian gjatë një konferencë në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Ursula von der Leyen theksoi qëndrimin e mbajtur prej kohësh tashmë nga KE, se integrimi do të jetë një proces i bazuar në merita për të gjitha vendet aspirante për t’iu bashkuar Unionit.

Ndërsa, duke u ndalur te Kosova dhe Serbia, shefja e KE-së theksoi se e ardhmja e integrimit mes dy fqinjëve mbetet tërësisht në duart e tyre, duke u qëndruar angazhimeve që të dyja palët kanë marrë në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga BE.

“Kanë marrë hapa të rëndësishëm këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tashmë duhet të implementohet dhe mirëpres uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, më konkretisht me çështjen e targave dhe elektricitetin dhe përgatitjet për zgjedhje të parakohshme,” shtoi Ursula von der Leyen.

Presidentja e KE-së u ndal edhe tek ekonomia, duke sjellë në vëmendje Planin e ri të Rritjes që pritet t’i vijë në ndihmë rajonit. Megjithatë, theksoi Ursula von der Leyen, ato që duhen bërë janë reformat dhe më pas vinë edhe investimet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos