11 raste feminicidi gjatë 2023, Balla: 47% e grave kanë përjetuar dhunë në familje. Duhet qasje tjetër

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 17:55 | Aktualitet

11 raste feminicidi gjatë 2023, Balla: 47% e grave kanë përjetuar

11 raste feminicidi janë regjistruar gjatë 2023 në vendin tonë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se kjo shifër është një kambanë e madhe alarmi për të gjithë ne. Në aktivitetin përmbyllës të “16 ditëve kundër dhunës”, ministri tha se dhuna në familje mbetet ende shqetësim serioz megjithë masat e marra dhe ashpërsimin e tyre. Duke iu referuar të dhëna statistikore, ai deklaroi se këtë betejë Policia nuk mund ta fitojë e vetme.

“47% e grave kanë përjetuar një moment dhune në familje, apo formë tjetër dhune. Megjithë përpjekjet e PSH për të parandaluar krimet, ende është problem. Kjo është një betejë që nuk fitohet vetëm, nga PSH. Janë evidentuar 4700 raste të dhunës në marrëdhënie familjare dhe dhënë 2500 urdhra mbrojtjeje. Njerëzit ende nuk e dinë, se edhe vetëm ta ngacmosh një vajzë në rrugë është dhunë, ta përndjekësh është dhunë, ta ndalosh të shkojë në punë është dhunë, apo të përdorësh një fjalë pa vend ndaj një kolegeje deputete në Kuvend, është po dhunë. Dhe shpesh herë shembulli më i keq bëhemi ne deputetët burra, duhet të jemi shembull pozitiv në shoqëri”, apeloi ministri. 

Ai theksoi se duhet të ketë një qasje tjetër për kontaktin e parë të shtetit me viktimën.

“Prej ditës së parë në këtë detyrë i kam kërkuar Drejtorit të PSH për të hartuar një protokoll sesi trajtohet kontakti i parë i shtetit me viktimën. Sepse duhet të jetë me një qasje tjetër, të jetë edhe psikologu, i cili të incentivojë të treguarit të së vërtetës. U prek këtu rasti i Vlorës. Isha i bindur se nga ajo që ishte raportuar nga media, ishim larg të vërtetës. Kur fola d.p.d. me vajzën e dhunuar e kuptova se edhe punonjësit të PSH ishin sjellë si negociatorë që donin të gjenin një zgjidhje që të ishte e mirë për të gjithë, sipas tyre. Kjo mjafton për të treguar se ende nuk i kemi mekanizmat dhe protokollin e duhur”.

Sipas tij “vajzat dhe gratë që marrin përsipër të denoncojnë dhunën janë heroina, për të cilat duhet të kujdesemi në vijimësi, duke krijuar një sërë programesh sociale që ato të shkëlqejnë, që jeta e tyre pas denoncimit të jetë shumë e mirë pas denoncimit të rastit të dhunës, sesa ishte. Raste të tilla kemi, por si kemi promovuar sa duhet”.

Më tej Balla sqaroi se po zbatohet që prej shtatorit çdo ditë, Paketa e Sigurisë në Shkolla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos