
Shembje masive janë regjistruar në disa segmente të rrugës nacionale Maliq-Lozhan-Moglicë, duke krijuar vështirësi serioze për qarkullimin e automjeteve, raporton A2CNN.
Situata paraqitet më problematike në dalje të Lozhanit, ku përveç rrëshqitjes së dherave dhe shkëmbinjve, janë konstatuar edhe dëmtime të rënda në bazamentin e rrugës.
Në disa pjesë të aksit, kalimi realizohet vetëm në një korsi, ndërsa ngushtimi i rrugës dhe dëmtimi i strukturës së saj e bëjnë lëvizjen të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve.
Sipas burimeve në terren, firma kontraktore po punon për normalizimin e situatës dhe rikthimin e qarkullimit në kushte normale.
Ndërkohë, priten ndërhyrje më të thelluara për riparimin e dëmeve të shkaktuara, si dhe për menaxhimin e ujërave që zbresin nga mali, të cilat kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së rrugës.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë aks rrugor. (A2 Televizion)