Minicentral elektrik, kovaçi nga Kukësi që nuk sfidoi vetëm komunizmin për energjinë

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2026, 13:27 | Aktualitet

Mes maleve të ashpra të Gorës, disa kilometra larg zonës së banuar të fshatit Cërnalevë në Kukës, katër shtëpi të familjes së madhe Hysenajndriçohen sot nga një burim energjie i pazakontë: një mini-central elektrik artizanal, i ndërtuar më shumë se katër dekada më parë. Vepra mban firmën e Selman Hysenajt, sot 74 vjeç, kryefamiljari që nuk pranoi të mbetej në errësirë.

Gjatë viteve të diktaturës, shtëpitë e Hysenajve mbetën të izoluara nga fshati; ato nuk u lidhën kurrë me rrjetin elektrik shtetëror, pavarësisht kërkesave të shumta drejtuar institucioneve të kohës, shkruan A2 CNN.

Në vitin 1981, Selman Hysenaj, me mjete të thjeshta, dije praktike dhe shumë këmbëngulje, ndërtoi një mini-central elektrik të vogël, duke shfrytëzuar ujin e malit. Ishte një zgjidhje e lindur nga nevoja, por edhe nga fryma e vetëmbështetjes.

Sot, centrali vazhdon të funksionojë. Energjia që prodhon nuk është e madhe, por mjafton për nevojat bazë të katër shtëpive ku jetojnë djemtë e Selmanit. Në një zonë ku izolimi dhe shpopullimi kanë qenë realitet i përhershëm, kjo vepër e vogël mbetet simbol i qëndresës dhe zgjuarsisë së banorëve të Gorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos