Ministria e Shëndetësisë nuk ka reagim në lidhje me skandalin e konsumimit të tonelatave të tëra me pulë të infektuar me salmonelë.
As Instituti i Shëndetit Publik nuk ka deklaruar deri më tani për situatën shëndetësore në popullatë, nëse kanë patur sinjale për prani të salmonelës në njerëz apo sëmundje që lidhen me efektet e bakterit.
Ndërkohë, A2 CNN ka pyetur mjekë në lidhje me simptomat e salmonelës në individë që konsumojnë mish të infektuar me këtë bakter dhe të pa gatuar në temperatura të larta.
Sipas specialistëve të shëndetësisë shenjat shfaqen zakonisht 12-72 orë pas infektimit. Simptomat më të shpeshta janë, diarre, temperaturë, dhimbje barku, ethe, dhembje koke dhe të përziera.
Zakonisht, simptomat kalojnë vetë pas 4-7 ditësh dhe shpesh nuk nevojitet trajtim. Por ka edhe raste të rënda kur infeksioni përhapet nga zorrët në gjak, situatë që shoqërohet me temperaturë të lartë për një kohë të gjatë, rënie në peshë deri në rrezik për jetën (A2 Televizion)