
Debatet e forta që ndodhën ditën e sotme në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Pogradecit kanë degraduar në përplasje fizike, duke sjellë edhe ndërhyrjen e forcave të rendit.
Gjatë tensioneve, u raportua një konfrontim fizik mes shtetasit Kevi Muçllari dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike, Ëngjëll Shyti.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka shoqëruar 27-vjeçarin Muçllari dhe më pas e ka arrestuar në kushtet e flagrancës nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës, shkruan A2.
Mbrëmjen e sotme dhjetra banorë të fshatit kanë dalë në mbështetje të 27 vjeçarit duke kërkuar lirimin e tij nga qelia. Sipas tyre kjo është një tentativë për ti trembur ata që të tërhiqen nga kauza për të ndaluar dhënien e 34 hektarë sipërfaqe tokë shtetërore me qera.
Ata deklaruan se arrestimi i të riut është i paligjshëm dhe tërësisht politik. Sa kohë që sipas tyre këshilltari bashkiak nuk është ndaluar, pasi sipas tyre ishte ai që provokoi i pari çka solli më pas konfrontimin fizik mes palëve.
Ndërkohë më herët lidhur me këtë ngjarje përfaqësues të bashkisë Pogradec deklaruan se banorët ishin dëgjuar, nga mbi 70 ha sipërfaqe që ishte parashikuar të jepej me qera, bashkia ka hequr nga hartat 36 ha që cilësoheshin kullotë dhe ka vendosur dhënien e 34 ha që kanë status pemtore, por edhe kjo u kundërshtua nga banorët të cilët kërkuan anullimin e procedurës.
Banorët deklaruan se nuk do të lejojnë asnjë investitor që të vijë dhe të investojë në tokat që deri dje ata i përdornin si kullota për blegtorinë. (A2 Televizion)
