Arrestimi ose jo i Sali Berishës për akuzën e “korrupsionit pasiv” për privatizimin e ish-kompleksit Partizani është në dorën e Parlamentit. Vetë ish-kryeministri në një konferencë për mediat tha se do të respektojë çdo lloj vendimi që Kuvendi do të marrë, pasi SPAK kërkoi ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” ose “Arrest në burg”.
Berisha tha se deri më tani ka refuzuar që të zbatojë masën e sigurisë për shkak se drejtësia e re kishte kapërcyer kompetencat e Kuvendit. Mirëpo, kur tashmë ka një kërkesë drejtuar parlamentit, atij nuk i mbetet që tjetër veç se ta respektojë dhe është shprehur i gatshëm për ta votuar që nesër.
"Unë kam refuzuar të zbatoj një urdhër antikushtetues nga një gjykatës tërësisht në konflikt interesi. E shkarkuar nga unë në datën 8 shkurt 1996 dhe që e fsheh këtë fakt. Por, përsa i përket konsistencës time ndaj propozimit 2012 ajo qëndron plotësisht. Unë jam që deputetët të mos kenë asnjë lloj dallimi nga qytetarët e thjeshtë në Kushtetutë. Kjo është një kërkesë krejtësisht normale dhe unë do ta lexoj shkresën me më hollësi, por në parim jam 100% dakord, nuk duhet të ketë për deputetët mbrojtje. Ajo është mbrojtje parlamenti, unë kam mbrojtur parlamentin jo Sali Berishën. Por që një gjykatës të thotë se, nuk është heqje lirie heqja e daljes jashtë shtetit, ku kushtetuta sanksionon një nen të veçantë për daljen jashtë shtetit të shtetasve. Kjo është tallesh me kushtetutën, ose të rishkruash kushtetutën. Unë kam mbrojtur thjeshtë pushtetin e parlamentit. Do parlamenti që ta dorëzoj që nesër, unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nuk mund të ketë. E kam thënë dhe e them. Besoj se isha i qartë në këtë pohim timin", u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se e gjitha është një vepër e Edi Ramës dhe për këtë është i bindur, por shtoi se nuk do t’u shmang organeve të drejtësisë. Madje, pati edhe një ftesë për Parlamentin.
“Kjo është e gjitha e Edi Ramën, e kam thënë që jam pa asnjë kusht për hetimin, sepse e kemi hequr nga Kushtetuta, nuk mund të kem 2 qëndrime, pra nuk ka asnjë diskutim, a është i drejtë apo jo, është një tjetër qëndrim, por asnjë lloj shmangjeje nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë, vetëm në rastin kur i morën pushtet parlamenti, tani të vendosë parlamenti, të jetë krejtësisht i lirë”, vijoi ai. (A2 Televizion)