Spiropali në Ministerialin e OSBE-së: Stabiliteti në rajon nis me njohjen e plotë të Kosovës

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2025, 14:53 | Aktualitet

Spiropali në Ministerialin e OSBE-së: Stabiliteti në rajon nis me

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Ministerialin e 32-të të OSBE-së, i cili po zhvillohet në Vjenë, ku përcolli qëndrimin e Shqipërisë mbi sigurinë dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe më gjerë.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbështetjes së ligjit ndërkombëtar, drejtësisë dhe llogaridhënies, duke veçuar agresionin rus ndaj Ukrainës si një sfidë madhore për rendin ndërkombëtar.

Ajo u ndal edhe te situata në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar se paqja dhe stabiliteti në kontinentin evropian janë thelbësore për politikën e jashtme shqiptare. Sipas saj, siguria afatgjatë në rajon lidhet ngushtësisht me njohjen e plotë të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, deklaroi Spiropali gjatë fjalimit në Vjenë.

Ministrja theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë të mbrojë fuqishëm parimet themelore të OSBE-së, përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos